Secondary Adv

Shqipëria po importon më shumë ushqime, rritje me 16.1 për qind në katër muaj

Importet e ushqimeve u rritën ndjeshëm në janar-prill, duke shtuar varësinë nga tregjet e huaja.

Importet e produkteve ushqimore në Shqipëri kanë shënuar një rritje të fortë gjatë katërmujorit të parë të vitit 2026, duke reflektuar varësinë në rritje të vendit nga furnizimet e huaja edhe për produkte që mund të prodhohen lehtësisht në vend. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, sasia e përgjithshme e importeve të ushqimeve u rrit me 16.1 për qind në periudhën janar-prill krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

 

Ky zhvillim vjen në një kohë kur rritja e numrit të turistëve pritej të krijonte më shumë mundësi për zgjerimin e prodhimit vendas dhe rritjen e shitjeve të fermerëve shqiptarë. Megjithatë, të dhënat tregojnë se një pjesë gjithnjë e më e madhe e konsumit po mbulohet nga produktet e importuara.

 

Rriten importet e frutave, perimeve dhe bulmetit

Ndër kategoritë që kanë shënuar rritje të ndjeshme të importeve janë zarzavatet, të cilat u rritën me 14 për qind, si dhe frutat dhe arrat e ngrënshme me 11 për qind. Po ashtu, importet e produkteve të bulmetit, vezëve dhe mjaltit u rritën me 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

 

Këto të dhëna tregojnë se tregu vendas po mbështetet gjithnjë e më shumë tek produktet e ardhura nga jashtë, ndërsa prodhuesit vendas po përballen me vështirësi në ruajtjen e pozicioneve të tyre në treg.

 

Rekord për farat vajore dhe drithërat

Rritja më e fortë është regjistruar tek farat vajore dhe bimët industriale apo medicinale, ku importet janë zgjeruar me 140.3 për qind. Ndërkohë edhe importet e drithërave shënuan një rritje të konsiderueshme prej 30.3 për qind.

 

Importuesi i drithërave, Adi Haxhiymeri, shpjegoi se blerjet nga jashtë janë nxitur edhe nga pasiguritë në tregjet ndërkombëtare pas zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ku frika për bllokime të mundshme dhe rritje çmimesh ka shtyrë operatorët të shtojnë furnizimet.

 

Disa kategori shënojnë rënie

Jo të gjitha kategoritë e produkteve ushqimore kanë ndjekur të njëjtin trend. Importet e peshkut dhe kafshëve guackore ranë me 13.9 për qind, ndërsa sheqernat dhe ëmbëlsirat shënuan rënie me 7.8 për qind. Një ulje më e lehtë prej 1.7 për qind u regjistrua edhe për grupin e kafesë, çajit dhe erëzave.

 

Kostot e larta po rëndojnë fermerët

Ekspertët e sektorit e lidhin zgjerimin e importeve me vështirësitë që has prodhimi vendas. Fermerët shqiptarë përballen me kosto më të larta për naftën, plehrat kimike, fidanët dhe inputet e tjera bujqësore krahasuar me vendet e rajonit. Si rezultat, produktet vendase shpesh dalin më të shtrenjta se ato të importuara, duke favorizuar mallrat që vijnë nga jashtë.

 

Një tjetër problem mbetet mungesa e fuqisë punëtore në zonat rurale. Emigrimi i të rinjve dhe lëvizja drejt qyteteve kanë sjellë plakjen e popullsisë në fshat, duke rritur kostot e punës dhe duke tkurrur sipërfaqet e kultivuara.

 

Ndikim ka pasur edhe forcimi i lekut kundrejt euros gjatë viteve të fundit, i cili i ka bërë produktet e importuara më të lira në tregun shqiptar. Kjo ka favorizuar importuesit, ndërsa ka vështirësuar konkurrueshmërinë e prodhuesve dhe eksportuesve vendas.

 

Burimi: Monitor


Më të lexuarat